Lufta kundër kanabisit, Rama: Do t’ia fshijmë këtë njollë vendit
Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur për t'i dhënë fund njeherë e përgjithmonë problemit të kultivimit kanabisit në vend. Duke folur nga Zyra Operacionale e Situatave, e thirrur nga vetë kreu i qeverisë, ku të pranishëm ishin drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Guardia di Finanza, Rama shprehu vendosmërinë për angazhim maksimal që situata në vend të përmbyset.
"Jemi të gjithë sëbashku në një operacion vendimtar për t'i dhënë fund kultivimit në shkallë të gjerë të kanabisit. Të gjitha të dhënat janë inkurajuese, ashtu sikundër u paraqit edhe këtu në mënyrë të përmbledhur, jemi në një situatë të përmbysur nga pikëpamja e hartës së kultivimit. Baza e planit kombëtar kundër kanabisit është solide dhe zbatimi pikë për pikë i kësaj baze në letër është një shembulll që nëse do të vazhdohet me këtë vendosmëri e ritëm dhe me këtë vëzhgim të hollësishëm, me siguri që në fund të sezonit do të mund të themi me plot gojë që ia dolëm të përmbysim situatën".
Kjo është një luftë e cila nuk mbyllet njësoj si historia e një sëmundje pas një operacioni, tha Rama, ndërsa shtoi se"ajo që ne jemi të vendosur të bëjmë është që ta fshijmë përfundimisht njollën që i ka mbetur Shqipërisë nga kjo histori kaq shumë vjeçare".
"Është shumë inkurajuese e gjitha baza e të dhënave sot për kontrollet, asgjësimin, si dhe kryesorja që ka të bëjë me thelbin e planit, për paradalimin. Të jemi të qartë që kjo është një betejë që zhvillohet çdo ditë në çdo orë në çdo cep të Shqipërisë. Rritja e orëve të fluturimeve këtë vit është një vlerë e shtuar",
theksoi Kryeministri më tej.
Ai u ndal edhe tek përfshirja e efektivëve të policisë në kultivimin e kanabisit dhe kërkoi nga kreu i Policisë së Shtetit që të tregohet i pamëshirshëm me çdo efektiv që shkel ligjin dhe mbyll sytë ndaj fenomenit. “Është i njohur tashmë qëndrimi i punonjësve të policisë ndaj këtij fenomeni. Disa kanë qëndruar pasiv në rastin më të mirë, e disa janë përfshirë në rastin më të keq. Në disa zona të vendit janë konstatuar raste të kultivimit të bimëve narkotike dhe nëse këto raste përsëriten në këto zona, bëjnë përgjegjës ata që kanë për detyrë të luftojnë fenomenin. I them kreut të Policisë së Shtetit që të tregohet i pamëshirshëm me ata që shkelin ligjin dhe mbyllin sytë ndaj fenomenit”.
I pranishëm në takim, vetë kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako pranoi se janë konstatuar efektivë në shkelje të ligjit dhe u shpreh se policia është e vendosur të ndëshkojë secilin prej tyre. Nga ana e tyre, zyrtarët e Guardia di Finanza shprehën vendosmërinë për të vijuar bashkëpunim me palën shqiptare, ndërsa thanë se këtë vit, orët e fluturimeve nga ajri do të shtohen me 30 përqind, në krahasim me një vit më parë."Misioni i fluturimeve ka filluar në Maj, kjo për shkak të fillimit më të hershëm të stinës verore. Rezultatet e arritura deri më tani duhet të cilësohen si të suksesshme. Këtë vit orët e fluturimit do të jenë thuajse 30 përqind më shumë në krahasim me një vit më parë. Dhe këtë mëngjes, ndërkohë që flasim, avioni jonë duke kryer një mision ajror në zonën e Shkodrës".
Rama kërkoi nga të pranishmit që brenda 12 ditëve të mblidhen sërish për një tjetër takim, me qëllim përditësimin e të dhënave, si dhe informimin e publikut."Dua t'ju kërkoj që në një periudhë të arsyeshme, brenda 10 - 12 ditësh të kemi një takim tjetër vetëm me të dhënat e përditësuara që të jemi sa më të koordinuar, por edhe për të rritur ndjeshmërinë publike lidhur me mënyrën sesi po luftohet ky fenomen, por edhe që shoqëria të jetë sa më e përfshirë, qoftë në marrjen e informacionit, por edhe duke denoncuar ku shfaqet fenomeni, apo për përfshirje të elementëve të Policisë së Shtetit".
/tvklan.al