Lufta ndaj krimit, 3 oficerë britanikë zhvendosen në Tiranë 


Lufta ndaj krimit, 3 oficerë britanikë zhvendosen në Tiranë 

19:13 04/04/2017

Policia e Shtetit tashmë do të ketë ekspertizën dhe trajnimin e policisë britanike, kjo pasi 3 oficerë të kësaj policie

 

do të vendosen me qëndrim të përhershëm në vendin tonë. 

Ky vendim u mor gjatë një takimi mes Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Ministrit të Shtetit për Sigurinë në Britaninë e Madhe, Ben Wallace, në fokus të së cilit ishin çështjet që prekin sigurinë në të dy vendet.

“Palët u dakordësuan për ardhjen në Shqipëri të 3 oficerëve të Policisë britanike në mënyrë të përhershme, për të rritur shkëmbimin dhe cilësinë e informacionit, të kapaciteteve inovative që ka në përdorim policia, si edhe trajnime për punonjësit e Policisë së Shtetit”

, sqarohet në një njoftim për shtyp.

Me kërkesë të ministrit Xhafaj, pala britanike mësohet se u shpreh e gatshme për të ofruar gjithashtu asistencë për Akademinë e Sigurisë.

Në një njoftim thuhet se dy ministrat diskutuan mbi gjetjen e mundësive dhe pikave të përbashkëta të interesit, për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.

Ministri Xhafa i parashtroi zyrtarit britanik prioritetet e detyrës së tij, duke u ndalur tek lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, krimit të organizuar e grupeve kriminale, si dhe në promovimin e integritetit të punonjësit të shtetit përmes shtrirjes së procesit të Vetting-ut edhe në rradhët e Policisë së Shtetit.

Nga ana e tij, Ministri Wallace mësohet se e konsideroi bashkëpunimin dhe partneritetin me palën shqiptare, ndër më të suksesshmet./tvklan.al






Të ngjashme