“Lufta” për Teatrin


“Lufta” për Teatrin

22:20 24/07/2019

Policia dhe FNSH tërhiqen nga rrethimi i godinës

Pas një dite të gjatë tensionesh dhe përplasjes policia u tërhoq nga rrethimi i godinës së Teatrit Kombëtar. Kaq mjaftoi që qytetarë dhe artistë, në mbështetje të kauzës për Teatrin të vërshojnë në sheshin para ndërtesës.

Më herët gjatë mbrëmjes, pati momente tensioni mes qytetarëve dhe policisë.

Uniformat blu zgjeruan perimetrin e rrethimit, duke mos lejuar kalimin e asnjë personi në sheshin përballë godinës. Në mbështetje të policisë erdhën edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat ndërhynë në momentin që qytetarët çanë kordonin nga krahu i Pedonales, rreth orës 19 e 30 të pasdites.

Qytetarët pretenduan se ndaj tyre u përdor spraj dhe i bënë thirrje Ministrit të Brendshëm të ndalë dhunën policore. Ndërsa Kryeministrit i kërkuan të heqë dorë nga projekti i shembjes së Teatrit, që sipas tyre u shërben interesave korruptive.

Godina e teatrit u rrethua që prej orëve të para të mëngjesit me efektivë të uniformave blu, të cilët nuk lejonin afrimin e artistëve. Me mbështetjen e përfaqësuesve të opozitës, situata u tensionua edhe më shumë.

Disa herë aktorët tentuan të hynin në brendësi të Teatrit Kombëtar. Prezenca e lartë e policisë ua pamundësoi futjen nga hyrja kryesore, derisa një dritare shërbeu si urë kalimi për të hapur më pas edhe derën.

Lulzim Basha, nga brenda godinës së Teatrit Kombëtar, akuzoi kryeministrin se kishte nisur çmontimin e pajisjeve për të bërë gati prishjen e ndërtesës, duke e cilësuar mafioz projektin e teatrit të ri.

Tv Klan






Të ngjashme