Luftë me Korenë? Presidenti i Kinës telefonon Donald Trump


Luftë me Korenë? Presidenti i Kinës telefonon Donald Trump

12:16 12/08/2017

Presidenti i Kinës Xi Jinping ka telefonuar Presidentin amerikan pas përshkallëzimit të retorikës mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut.

Sipas mediave shtetërore kineze, Presidenti Jinping i tha presidentit Trump se

“palët duhet të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin fjalët dhe veprat që mund të përkeqësojnë tensionet në gadishullin Korean”.

Gazeta shtetërore kineze deklaroi dje përmes një artikulli se Kina do të qëndrojë neutrale nëse Korea e Veriut sulmon e para territorin amerikan, por nëse SHBA sulmon fillimisht, atëherë do të ndërhyjë dhe do të përpiqet të ndalojë përkeqësimin e situatës.

Kina është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Koresë së Veriut. Trump i ka kërkuar disa herë homologut të tij kinez që të bëjë presion mbi Korenë e Veriut për të ndalur programin e armëve bërthamore të shtetit komunist.

Dje, Presidenti Trump paralajmëroi diktatorin koreano-verior Kim Jong Un duke thënë:

“Ky njeri nuk ka për të hequr dorë nga ajo që po bën. Nëse ai bën kërcënim apo çdo gjë ndaj ishullit Guam apo ndonjë vendi tjetër që është territor amerikan apo vend partner i SHBA, ai do të pendohet dhe do të pendohet shumë shpejt”.

Korea e Veriut ka paralajmëruar disa ditë më parë se po bën gati planin që në mes të gushtit të sulmojë me raketa ishullin Guam, territor i SHBA.

/tvklan.al






Të ngjashme