Luiza Gega tërhiqet nga Botërori i Atletikës
Luiza Gega nuk mori pjesë në Kampionatin Botëror të Atletikës në Londër, edhe pse u regjistrua për të garuar në kualifikueset e 3000 metrave. Trajneri i saj, Taulant Stërmasi thotë se gjatë stërvitjeve që zhvilloi në qytetin e Korçës, Gega kishte pësuar një dëmtim në tendinë. Sipas tij, shpresa se atletja do të rikuperonte bëri që ata të besonin te mrekullia, por në fund vendosën të mos udhëtojnë drejt Londrës.
Por nga ana tjetër, Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli është shprehur i zhgënjyer me veprimin e atletes shqiptare. Në një komunikim për Tv Klan nga Londra, ai thotë se Luiza duhet të ishte paraqitur edhe e dëmtuar në Botëror, duke kujtuar këtu edhe sloganin e olimpizmit, që është e rëndësishme pjesëmarrja e jo detyrimisht fitorja. Ruli thotë se u njoftua në momentin e fundit me mesazh nga Luiza Gega për mungesën në këtë aktivitet, ndonëse Federata kishte kryer të gjitha pagesat.
Në Botërorin e Atletikës nuk mori pjesë as atleti Izmir Smajlaj. Kampioni i Europës në kërcim së gjati, përpara një muaji pësoi një dëmtim gjatë stërvitjes duke mos arritur të kapë normat.
Tv Klan