Lulzim Basha: 5 banda kriminale kërkojnë shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi


Lulzim Basha: 5 banda kriminale kërkojnë shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

11:15 21/09/2018

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu sikurse edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, Basha renditet në anën e kundërshtarëve të kësaj ideje.

Kryedemokrati shkon më tej duke thënë se ideja për shkëmbim territoresh mbështetet nga pesë banda kriminale që veprojnë në veri dhe në jug të lumit Ibër.

“Propozimi për shkëmbimin e territoreve është legjitimim i aventurierëve dhe legjitimim i pesë bandave të krimit të organizuar në veri dhe në jug të lumit Ibër”,

u shpreh Basha.

Cilat janë këto banda kriminale që mbështesin shkëmbimin e territoreve? Kreu i demokratëve nuk përmendi asgjë konkrete, por shtoi se pretendimet për mosfunksionimin e territorit të Kosvës janë vetëm një alibi.

“Në qoftë se ka vullnet politik për të çmontuar këto pesë banda të krimit të organizuar në jug dhe në veri të lumit Ibër, atëherë alibia e fundit për mosfuksionim të territorit të Kosovës bie”,

tha Lulzim Basha. Kryedemokrati këto deklarata i bëri konferencën ballkanike të grave të organizuar nga LDGSH dhe Forumi i Gruas në PPE.

Lumi Ibër ka një gjatësi prej 272 kilometra dhe rrjedh nëpër tre shtete; Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.

I ftuar mbrëmë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama e cilësoi “shans historik” negociatat që po zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje. Kryeministri citoi edhe ish-Presidentin Ibrahim Rugova që fliste për shkëmbim territoresh në vitin 1992, por nuk dha një përgjigje të qartë për qëndrimin e tij nëse mbështet këtë ide. Gjatë intervistës, Rama insistoi se korrigjimi i kufijve duhet të jetë një hap me një qëllim të caktuar që do ta çojë Kosovën përpara.

Propozimi për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është hedhur fillimisht nga Presidenti Hashim Thaçi. Por kjo ide nuk është mirëpritur nga një pjesë e madhe e politikanëve kosovarë, sikundër edhe në Shqipëri që janë të ndarë në dy kampe. /

tvklan.al






Të ngjashme