Lulzim Basha u kërkon të rinjve të mos braktisin vendin
“Të bashkohemi për t’i kthyer Shqipërinë shqiptarëve”
Në turin e takimeve me bizneset e prekura nga pasojat e pandemisë së Covid-19 në Bashkinë e Kamzës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka kërkuar të rinjve të qëndrojnë në Shqipëri dhe të mos braktisin vendin për shkak të keqqeverisjes.
Për kryetarin e opozitës, gjendja në të cilën ndodhet ekonomia dhe papunësia është për faj të keqmenaxhimit dhe shpërndarjes së parave të buxhetit për disa biznese të caktuara dhe jo për qytetarët.
“Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të gjithë të rinjtë shqiptarë, madje për të marrë edhe ata që janë larguar. Ajo që duhet është që burimet e vendit, pasuritë e vendit dhe taksat tuaja dhe të prindërve tuaj të shkojnë për ekonominë dhe të shkojnë për t’ju ndihmuar juve, sepse sot gjithçka po punon për 5 veta”.
Lulzim Basha u ka kërkuar bizneseve dhe qytetarëve që të bashkohen të gjithë për t’ia kthyer Shqipërinë shqiptarëve.
“Zullumit po i vjen fundi. Veç të bëhemi të gjithë bashkë dhe t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Institucionet, taksat, buxhetin, ekonominë t’ua kthejmë shqiptarëve. Dhe të jesh i sigurt, kur ta bëjmë këtë, do të ketë shanse për rininë dhe për këdo tjetër. Shanse për punësim, shanse për mirëqenie”, theksoi kreu i opozitës.
Partia Demokratike thotë se situata ekonomike e familjeve është e vështirë, aq sa detyrohen të marrin ushqime me lista, ndërsa bizneset kanë rënie të xhiros dhe ndihma financiare që dha qeveria për ta është e pamjaftueshme nëse llogariten faturat e dritave, ujit dhe qirasë.
Tv Klan