Lumë kritikash për një foto me Erdogan
“Një foto sa një mijë kritika”! Kështu ka qenë dalja përkrah presidentit turk Erdogan, për 2 futbollistët gjerman, Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan.
Dy lojtarët me origjinë turke, por që përfaqësojnë Gjermaninë në futboll, kanë marrë një lumë kritikash nga komuniteti futbollistik dhe nga politikanë gjermanë.
Ozil dhe Gundogan i dhuruan presidentit Erdogan fanellat e tyre të firmosura. Në një postim në rrjetet sociale Gundogan, i cili aktivizohet për Manchester City, shkruante: Fanella është për presidentin tim të nderuar, me respekt të madh.
I menjëhershëm ishte reagimi i federatës gjermane që tha se vlerat demokratike që mbron institucioni shkojnë kundër asaj që përfaqëson presidenti Erdogan. “Nuk është diçka e mirë që futbollistët të manipulohen për fushata elektorale”, thuhet në reagim. Edhe ish-futbollisti Oliver Bierhof, sot zyrtar i federatës, tha se lojtarëve do t’u tërhiqet vëmendja.
Sevim Dagdelen, deputete e majtë në Bundestag, me origjinë turke gjithashtu, shkruan se dalja përkrah një despoti si Erdogan, në një kohë kur demokratët turq persekutohen dhe gazetarët kritikë burgosen, është një veprim i pamatur.
Rexhep Taip Erdoan po zhvillon një tur elektoral në Europë, për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 24 Qershor në Turqi. Marrëdhëniet e tij me Perëndimin nuk janë në ditët më të mira, veçanërisht pas burgosjes së disa dhjetëra gazetarëve dhe aktivistëve europianë.
Tv Klan