Lumi Shkumbin rrezikon shtyllën e tensionit të lartë në Elbasan – (14 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Shkumbini rrezikon të lërë sërish Shqipërinë pa drita. 6 kilometra larg Elbasanit, në afërsi të fshatit Shushicë, lumi Shkumbin pasi ka gërryer sipërfaqe të mëdha toke bujqësore ndodhet vetëm pak metra larg shtyllës së tensionit të lartë, të të vetmes linjë ndërkombëtare, që furnizon vendin tonë me energji elektrike.
Linja ndërkombëtare e tensionit të lartë prej 6 mijë voltësh, që lidh Greqinë me nënstacionet e Elbasanit, mbetet aktualisht furnizuesja kryesore në vend me energji të importuar nga jashtë. Shtylla e tensionit të lartë të linjës ndërkombëtare në afërsi të fshatit Shushicë, u kanosë prej ujërave të rrëmbyer të lumit, që dimrin e kaluar. Mirëpo gjatë stinës së ngrohtë në këtë vend nuk u morë asnjë masë mbrojtëse.
Kështu që shirat e parë të vjeshtës, kanë tronditur seriozisht themelet e shtyllës, e cila në rast shembje, jo vetëm do të na lërë pa drita, por mund të shkaktojë edhe tragjedi njerëzore për shkak të popullimit të zonave përreth. Drejtuesit e filialit të KESH-it në Elbasan nuk pranuan të komentojnë rreth situatës kritike duke lënë kështu në errësirë të ardhmen e furnizimit me energji të gjithë Shqipërisë./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj