Macron akuzon Berlinin për “disfunksionalitetin” e BE-së
Presidenti francez, Emanuel Macron ka kërkuar bashkëpunimin e kancelares gjermane, Angela Merkel për të zgjidhur atë që ai e quan “jofunksionaliteti” i Eurozonës.
Macron sheh Berlinin si faktorin që do të zgjidhë ngërçin ekonomik në Europë.
Në një intervistë për gazetën franceze rajonale
OUEST FRANCE
, shefi i Elizesë kërkoi nga Berlini zyrtar që të pranojë më shumë investime publike dhe private në Europe, ndërsa akuzoi se një pjesë e konkurrencës gjermane është shkaktare e disfunksionalitetit të Unionit, por edhe e dobësimit të ekonomive të tjera në Europë.
Megjithatë, Macron pranon se nuk ka asgjë kundër konkurrencës gjermane, por sipas tij, Bashkimi Europian do të mbetet një projekt i paplotë nëse disa traktate nuk ndryshojnë për të sjellë një bashkërendim më të madh midis vendeve anëtare të Eurozonës.
Dëshira e Macron për të parë një ministër të vetëm financash në Eurozone dhe një buxhet të përbashkët është përshëndetur me rezerva nga Merkel, ndërsa ka hedhur dyshimet në Berlin se taksapaguesit gjermane mund të detyrohen të marrin përgjegjësi për borxhet e përbashkëta europiane.
Të dy udhëheqësit u takuan në Paris të enjten në kuadër të një samiti franko-gjerman, ku do të diskutohet mbrojtja dhe lufta kundër terrorizmit.
Tv Klan