Macron kritikon Trump për qëndrimin ndaj Iranit
Protestat e përgjakshme të Iranit shfaqin sërish ndasitë e thella mes aleatëve perëndimorë për mënyrën e trajtimit të konflikteve globale. Presidenti francez Emanuel Makron i etiketoi si “luftënxitëse” deklaratat në Twitter të presidentit amerikan për protestat në Iran.
“Linja zyrtare e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Arabia Saudite do të na çojë në luftë” – tha Macron, duke folur përpara gazetarëve në të parën konferencë për vitin 2018 në Paris. Shefi i Elizesë tha se është e rëndësishme që të ruhet linja e dialogut me Teheranin, që u vendos përmes marrëveshjes bërthamore me fuqitë e mëdha në vitin 2015. Makron shprehu mbështetjen për protestuesit iranianë që kërkojnë liri. Ndërsa tha se i qëndronte angazhimit për të vizituar Teheranin këtë vit, me kusht që situata t’i rikthehet sa më shpejt normalitetit.
Revoltat popullore duket se janë shuar, teksa njësia speciale e ushtrisë iraniane e njohur ndryshe si “Garda Revolucionare” shpalli fundin e komplotit të huaj. Komandanti Mohamed Ali Xhafari fajësoi agjentët e huaj si organizator të protestave që i morën jetën 21 personave. Ndërsa premtoi dënime të ashpra për protestuesit që nxitën dhunën në protestat 7 ditore.
Tv Klan