Mafiozët italianë po vriten për drogën shqiptare
Grupet mafioze që operojnë në Italinë e jugut, kryesisht në Foxhia, po përplasen edhe për drogën shqiptare. Prokurori i Antimafias, Franko Roberti thotë se kjo është një aferë me fitime marramendëse.
“Sot përplasja është ndezuar rreth trafikut të narkotikëve, në veçanti të drogave të lehta nga Shqipëria. Eshtë një aferë kolosake që ka ndezur oreksin e grupeve që përfshin, duke u nisur nga zona e Foxhias, të gjithë bregdetin e Adriatikut”.
Shqetësimin për përplasjen e grupeve mafioze për drogën shqiptare, ai e ngriti në mediat italiane pas vrasjes së 4 personave këtë jave në Foxhia. Roberti deklaroi se duhet më shumë bashkëpunim për t’i ndaluar lumenjtë e drogës.
“Natyrisht duhet bërë më shumë edhe në planin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndaluar të gjithë lumenjtë e drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria, sepse janë ata që po e shkaktojnë këtë grindje. Kemi shkuar në Shqipëri muajt e kaluar për të kërkuar bashkëpunim. Takuam në Romë ministrin e Brendshëm shqiptar dhe premtoi më shumë bashkëpunim. Duhet të fitojmë mbi kodin mafioz të heshtjes dhe për ta bërë këtë duhet të krijojmë një kulturë ligjshmërie, që në atë territor është ende okulte”.
Për trafikun e drogës, kreu i Antimafias italiane ishte në Shkurt në Tiranë, ku shprehu shqetësimin se sasia e kanabisit që kalonte nga Shqipëria drejt Italisë ishte trefishuar. Vetëm pak ditë më parë Guardia di Finanza në bashkëpunim me Policinë Shqiptare dhe atë të Malit të Zi sekuestruan një gomone me 2.6 ton kanabis dhe arrestuan dy skafistë nga Vlora.
Tv Klan