Majko në Ministrinë e Jashtme – (8 Mars 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Diplomacia shqiptare duhet të jetë e gatshme për të përballuar çdo lloj situate që do të paraqitet në takimin e 15 Marsit. Për këtë qëllim sot në orët e para të mëngjesit kryeministri Pandeli Majko ka zhvilluar një takim punë me Kolegjiumin e Ministrisë së Jashtme.
Majko e Milo nënvizuan domosdoshmërinë e kontakteve masive që duhet të ketë diplomacia shqiptare gjatë ketyre ditëve me përfaqesues të forcave politike ushtarake të shqiptarëve në Kosovë si dhe me përfaqesues të spikatur të faktorit ndërkombëtar. Pas takimit i cili u zhvillua pa praninë e gazetarëve, kryeministri Majko u shpreh:
Kryeministri Pandeli Majko:- “Diplomacia shqiptare siç edhe po e vini re kohët e fundit po i jep jo vetëm vendin e merituar çështjes së Kosovës në rajonet ndërkombetare, por edhe vetë diplomacisë shqiptare parë në tërësi. Pra ne jemi kthyer nga një pjesë e problemit, siç jemi konsideruar deri më dje, në një pjesë të zgjidhjes. Duke bashkëpunuar ngushtë me të gjithë faktorët partnerët ndërkombëtare, por ndërkaq edhe me faktorët politike e ushtarakë në Kosovë, gjë që po e bën të vetëdijshme Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se faktori shqiptar gjendet një i tërë përballe situatës tepër të vështirë që ndodhet momenti shqiptar në rajon. Kjo gjithsesi mbart një varg deturimesh të cilat ne jemi duke i parë hap pas hapi. Ne mbrojmë interesat tona kombëtare dhe kur flitet në emër të interesave kombëtare është e kuptueshmë që llogjikat shtrohen krejtësisht mbi bazat kombëtare por dhe historike të cilat ne jemi duke i respektuar në maksimum. Të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë po e mirëkuptojnë marrëveshjen dhe kanë kuptuar që paqja e nënshkruar ofron problemin ndaj zgjidhjes më shumë sesa lufta”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego