Majko në SHBA, takime në Qendrën Rinore ‘Stamford’
Gjatë qëndrimit në New York, Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko zhvilloi një takim me sipërmarrësin Richard Lukaj në Qendrën Rinore Shqiptare "Stamford", e themeluar prej tij. Lukaj, i cili është edhe Konsull i Përgjithshëm në Connecticut dhe New York, ka dhënë një kontribut të shquar për kauzat shqiptare e për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Gjatë takimit ku ishte i pranishëm edhe Ministri për Diasporën në Kosovë, Dardan Gashi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, Majko vlerësoi krijimin dhe mënyrën e funksionimit të qendrës në shërbim të komunitetit shqiptar, duke përgëzuar Lukaj për punën e tij. Ministri tha se Qendra Rinore ku zhvillohen aktivitete të ndryshme, e ku mësohet gjuha shqipe, histori dhe art, po kontribuon në edukimin e intelektualëve të ardhshëm që do të punësohen në administratat e Shqipërisë dhe Kosovës."Identiteti i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara është ruajtur falë njerëzve si Lukaj'
, ishin fjalët e Ministrit. Majko shtoi se përgjegjësia e një shteti është e njëjtë, si për qytetarët brenda, ashtu edhe jashtë vendit."Janë njerëzit që e bëjnë kombin dhe ju jeni të gjithë pjesë e tij"
, u shpreh Ministri. Po në Qendrën 'Stamford', Majko u takua me përfaqësuesit e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, të cilët gjithashtu i vlerësoi për kontributin në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Të pranishmit, mes të cilëve edhe kryetari i qendrës Adnan Mehmeti, i folën Ministrit për panairet e librave të organizuara në New York dhe aktivitetet e tjera që synojnë promovimin e krijimtarisë së anëtarëve të shoqatës. Majko sugjeroi organizimin e një aktiviteti të përvitshëm, i cili në qender do të ketë librin shqip. Richard Lukaj shprehu vullnetin për të ndihmuar me krijimin e një biblioteke për komunitetin shqiptar, që do të jetë një nga më të mëdhatë e këtij lloji./tvklan.al