Manaj nuk mjafton për zikaltërit e rinj
Rei Manaj nuk i mjaftoi Inter në gjysmëfinalen e kampionatit të rinjve përballë Roma. Sulmuesi i Kombëtares realizoi 2 gola gjatë sfidës dhe u tregua i saktë edhe në goditjen e 11-metërshave, pas pjesëve shtesë.
120 minutat përfunduan në barazim 3 – 3 dhe u nevojitën pikërisht penalltitë për të vendosur ekipin finalist. Rezulati në goditjen e 11-metërshave ishte 9 – 8 për skuadrën kryeqytetase ku luan një tjetër shqiptar, Emanuele Ndoj.
“Ndjejmë keqardhje për këtë ndeshje. gabuam në disa raste, por nuk mund të bëjmë asgjë. Duhet ta hedhim pas dhe të shpresojnë që sezoni i ardhshëm të jetë më i mirë” – citohet Manaj në faqen zyrtare të klubit zikaltër.
Rei Manaj është pjesë e ekipit të parë, por ai ka treguar cilësitë e tij me të rinjtë ku ka shënuar gola dhe e ndihmoi Inter pak javë më parë të fitonte Kupën e Italisë për këtë moshë./TV KLAN