Manastirliu: Gati skenarët e vaksinimit anti-COVID
“Vaksinimi i gripit ushtrim i mirë, kur vaksina anti-COVID të vijë”
Pacientet e prekur nga koronavirusi në stad të lehtë dhe që trajtohen në banesë kanë nisur të marrin barnat falas sipas skemave të mjekimit. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu nga qendra shëndetësore numër 2 në kryeqytet u njoh me ecurinë e procesit ndërsa vlerësoi rolin e mjekut të familjes në përballimin e pandemisë.
“Roli i mjekut të familjes është vendimtar, është thelbësor në luftën kundër Covid19. Sepse në terren është lufta e vërtetë. Patjetër është në spitale, sepse është lufta për jetën. Por këtu një rol thelbësor dhe i rëndësishëm për të parandaluar atë që mund të vijë më vonë si një risk i shkaktuar nga mungesa e trajtimit”.
Poliklinikat vijojnë me injektimin e vaksinës së gripit stinor, proces që sipas Manastriliut është një ushtrim i mirë në pritje të ardhjes së vaksinës anti-covid.
“Vaksinimi kundër gripit në një sasi kaq të madhe për një periudhë të shkurtër kohore, ..është sigurisht një ushtrim para përgatitës edhe për sa i përket vaksinës së Covid19. Sigurisht në momentin që ajo do të vijë në Shqipëri, do të garantojë gjithashtu edhe sigurinë edhe efektivitetin. Dhe padyshim në varësi edhe të llojit të vaksinës që do të vijë kemi gati edhe skenarët për çdo vaksinë sipas llojit dhe karakteristikave që ajo ka”
Qeveria shqiptare ka siguruar këtë vit 368 mijë doza vaksine kundër gripit stinor për të gjithë grupet në risk.
Tv Klan