Manjani kërkesë prokurorëve: Hetoni zyrtarë të nivelit të lartë
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka kërkuar nga prokuroria të hetojë zyrtarët e nivelit të lartë. Gjatë një takimi me Prokurorinë e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, numri një i drejtësisë i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të jetë aktive në hetimin e veprimtarisë së grupeve kriminale dhe sekuestrimin e pasurive të vëna nga aktivitete të paligjshme.
“Të shtohet numri i zyrtarëve të lartë duke nisur nga ministri i Drejtësisë për çdo episod që ka nevojë për hetim. Ka përfunduar koha kur ekzekutivi refuzon të zbatojë urdhrat e Prokurorisë. Për këtë ekzekutiv urdhri i Prokurorisë është ligj ndaj kujtdo”, deklaroi Manjani.
Gjithashtu, Manjani theksoi se është prokuroria ajo që drejton ndjekjen penale duke ndërhyrë kështu në akuzat dhe kundër akuzat mes Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit.
Ministri i Drejtësisë bëri me dije se sipas denoncimeve që bëhen në institucionin që ai drejton, pjesa më e madhe janë për falsifikim të dokumenteve. “Sot kërkesat më të shumta janë kërkesat për pretendime për falsifikime. Ka shumë pretendime që dokumentet janë të falsifikuara”, u shpreh ministri.
/tvklan.al