Maqedoni/ 35 të arrestuar mes tyre dhe dy deputetë
Përditësim/Prokuroria Publike lidhur me arrestimet masive që u ndërmorrën në orët e hershme të mëngjesit theksoi se 35 veta ndiqen me veprën penale “kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” për ngjarjet që ndodhin 27 prillin e 2017 në Kuvend.
“Pas grumbullimit të të gjitha fakteve dhe veprimeve të tjera është urdhëruar masa e ndalesës për 35 veta, për shkak të dyshimeve të ngritura për kryerjen e veprës së rëndë penale”,
theksuan nga Prokuroria Publike.
Në mesin e të arrestuarve janë ish-ministri i brendshëm, Mitko Cavkov, deputetët e VMRo-DPMNE, Krsto Mukovski dhe Zaklina Stefanovska dhe disa persona të tjerë, të cilët po merren në pyetje në Gjykatën Penale. Cavkov gjatë ngjarjeve të 27 Prillit ishte drejtor i Byros së Sigurisë Publike dhe shef i shtabit operativ, i cili për më shumë se dy orë sipas prokurorisë, nuk kishte dhënë urdhër për ndërhyrjen e policisë në Kuvend për të parandaluar dhunimin e këtij institucioni dhe deputetëve. Me këtë siç nënvizohet në akuzë, ai ka vënë në rrezik jetën e deputetëve dhe gazetarëve.
Mes të arrestuarve janë edhe persona të tjerë që ishin organizatorë të protestave të asaj kohe.(INA)