Maqedoni/ KSHZ hedh poshtë ankesat e partive
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) të premten ndërpreu seancën publike, ku shqyrtoheshin ankesat nga partitë politike LSDM dhe BESA për zgjedhjet e mbajtura më 11 dhjetor.
KSHZ-ja deri më tani ka refuzuar shtatë nga gjithsej tetë ankesat e Lëvizjes BESA, ndërsa për ankesën e fundit është parashikuar që një grafolog të bëjë ekspertizë të nënshkrimit të një votueseje. KSHZ të enjten (15.12) ka diskutuar edhe për katër nga gjithsej tetë ankesat e LSDM-së opozitare, të cilat i refuzoi.
KSHZ nën presion të madh
E gjithë puna e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është zhvilluar nën presion dhe në situatë të tensionuar. Para godinës së KSHZ-së ishin mbledhur militantë të VMRO-DPMNE-s së Nikolla Gruevskit për të parandaluar – siç thanë – vjedhjen e fitores së saj. Para protestuesve, anëtarë dhe zyrtarë të VMRO-DPMNE-së kanë mbajtur fjalime, ndërsa nuk munguan as ofendimet në drejtim të shqiptarëve me fjalët “Shqiptarët e mallkuar”, madje edhe duke kërcënuar me gjakderdhje rrugëve.
“Anëtarët e KSHZ-së duhet ta dinë se bartin përgjegjësinë më të madhe dhe nga ata varet se a do të jetë ky shtet normal dhe me prosperitet. Të mos mendojnë se ky popull ka fuqi që të tolerojë më shumë”, kërcënoi bartësi i listës për kandidatët për deputetë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
Funksionari i lartë i VMRO-DPMNE-s Filip Petrovski kërcënoi ambasadorin amerikan, Jess Baily me fjalët: “Largohu nga Maqedonia, mos na provoko më, në Maqedoni fitoi populli maqedonas. Mos i prish marrëdhëniet mes dy vendeve, edhe ashtu je në ikje. Nuk do të shkojmë derisa nuk shpallni fitore”.
Analistët: Presioni politik ndaj KSHZ i patolerueshëm
Analisti politik Alajdin Demiri vlerëson se VMRO-DPMNE e ka instaluar presionin e rrugës si metodën më të re dhe njëherit më efikase të veprimit politik qysh prej organizimit të kundër-protestës së parë.
“Tashmë ikonografia e veprimit të VMRO-së është bërë rruga, rruga në të cilën shkallëzojnë të gjitha llojet e nacionalizmave dhe presionit kundër punës së institucioneve të pavarura. Presioni që të fitojë me çdo kusht”, thotë Demiri.
“Bëhet fjalë për shkelje drastike të institucioneve, veçanërisht ndaj K SHZ, nga ana e VMRO DPMNE-së, e cila nuk lejon që në mënyrë institucionale dhe ligjore të konstatohet realiteti që ka të bëjë me procesin zgjedhor. VMRO -DPMNE shkon edhe një hap më tej, ajo kërcënohet dhe me sigurinë e shtetit, nëse vjen në ndryshimin e rezultatit gjatë procedurës së ankimimit “, vlerëson analisti Mersel Billalli.
Lidija Hristova, politologe, konsideron se një situatë e tillë është si rrjedhojë e asaj se në Maqedoni është instaluar logjika e mungesës së përgjegjësisë morale dhe politike.
“Situata është mjaft konfuze dhe shumë e paqartë do të thosha, sa i përket rezultatit të zgjedhjeve. Duhet të priten rezultatet pas ankesave në KSHZ dhe në Gjykatën administrative, edhe pse pas kësaj kam bindjen, se paqartësia do të jetë edhe më e madhe sa i përket asaj se kush doli fitues në këto zgjedhje”,thotë Lidija Hristova.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve gjatë ditës (16.12.) duhet të vazhdojë seancën e shqyrtimit të ankesave të dorëzuara nga partitë politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas afateve ligjore, Komisioni Shtetror i Zgjedhjeve dhjetë ditë pas përfundimit të votimit duhet t’i shpall rezultatet përfundimatre zyrtare dhe numrin e mandateve për deputet të fituara nga partitë pjesmarëse në procesin zgjedhor. Pas konstituimit të përbërjes së re parlamentare, Presidenti i shtetit ia dorzon mandatin për formimin e qeverisë së re, partisë, e cila ka fituar shumicën e manadateve në parlament.
/Deutsche Welle