Maqedoni/ Numër rekord i vëzhguesve për referendumin
Referendumi për emrin të dielën do të monitorohet nga një numër i madh i monitoruesve të huaj dhe vendor.
Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor, janë regjistruar mbi 11.907 mijë vëzhgues vendor dhe rreth 493 të huaj.
Nga organizatat vendore numrin më të madh të monitoruesve e ka Shoqata për Politika dhe Nisma Qytetare me 5.574 monitorues si dhe organizata të tjera.
Nga monitoruesit e huaj 197 janë nga misioni OSBE/ODIHR, 35 nga ambasada e SHBA-ve si dhe monitorues nga vendet e BE-së dhe vende të tjera të rajonit.
Referendumi për emrin ka zgjuar edhe interesimin e shumë mediave botërore. Janë akredituar mbi 80 gazetarë nga 32 media të huaja. Afati për akreditimin e mediave ka qenë deri më 24 Shtator. Në referendumin e së dielës të drejtë votimi kanë mbi 1.8 milionë banorë. Referendumi do të jetë i suksesshëm nëse do të votojnë mbi 50 % të votuesve. /INA