Maqedoni, s’ka marrëveshje mes partive politike
Deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare sot në Kuvendin e Maqedonisë janë takuar me liderin partiak Mickovski. Ata kanë refuzuar të prononcohen se për çka është biseduar në takim, por as nuk kanë mohuar se qëndrimi i kreut të opozitës ka qenë që do të kërkojë formimin e një qeverie teknike që do të funksionojë një vit, për negociata të reja me Greqinë. Deputetët e opozitës kanë theksuar se nuk do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese, porse epilogu do të dihet nesër pas përfundimit të mbledhjes së organit më të lartë partiak.
Nga Qeveria e Maqedonisë theksojnë se procesi është në Kuvend ku duhet të sigurohet shumica prej dy të tretave.
“Presim që partitë e opozitës ta ndjekin vullnetin e shumicës së qytetarëve. Kjo është detyrë parësore e qeverisë dhe këtë mesazh e dërgojmë edhe sot. Nuk kemi asnjë dilemë se procesi është në Kuvend dhe duhet të sigurohet shumicë prej 2/3”.
Ndërkohë pozita dhe opozita përgënjeshtrojnë se janë duke u zhvilluar bisedime sekrete për përkrahje të ndryshimeve kushtetuese. Për partinë në pushtet LSDM nuk ka disponim që të binden deputetët e opozitës të votojnë për ndryshime të Kushtetutës dhe se më i sigurtë mbetet opsioni për zgjedhje të parakohshme.
“Nëse VMRO-DPMNE vazhdon të sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe vazhdon ta bllokojë ardhmërinë e Maqedonisë, patjetër të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare”.
Ndërkohë, burime të Klan Maqedoni nga BDI thanë se kreu i kësaj partie. Ali Ahmeti beson se ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës maqedonase. Mësohet po ashtu se ka përpjekje diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi.
Tv Klan