Marine Le Pen: Nuk i duhet dhënë azil shqiptarëve në Francë


Marine Le Pen: Nuk i duhet dhënë azil shqiptarëve në Francë

11:29 04/01/2017

Marine Le Pen, një nga kandidatet kryesore për presidencën franceze në zgjedhjet e 2017-ës, në një intervistë për francezen BFMTV ku shpalosi programin e saj politik, deklaroi ndër të tjera se i shqiptarët janë azilkërkuesit më të mëdhenj në numër në vend.

Liderja e Fronit Kombëtar, një parti e ekstremit të djathtë, gjithnjë është shprehur kundër emigrantëve të huaj në Francë.

“Kërkuesit më të mëdhenj të azilit janë shqiptarë, dhe kërkesat e tyre as që duhet të merren parasysh.”

Në një kohë që emigrantët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika janë të shumtë në numër si dhe pas një seri sulmesh terroriste në territorin francez, Fronti Kombëtar i Le Pen po shndërrohet nga një parti e parëndësishme në një rivale serioze për presidencialet.

Marine Le Pen këmbënguli se idetë e saj për këtë temë mbështeten nga shumica e popullit francez dhe se kandidatura e saj nuk është për pushtet personal por për t’i rikthyer pushtetin francezëve.

E pyetur nëse do të tërhiqej nga politika nëse do të humbiste zgjedhjet, përgjigja e saj ishte shumë e prerë: Absolutisht jo! Për sa i përket polemikave për bankat franceze që refuzojnë t’i japin kredi partisë së saj për financimin e fushatës, Le Pen, të cilës i mungojnë 6 milion euro për të paguar fushatën elektorale u shpreh se: “ka të bëjë me një problem të vërtetë të funksionimit demokratik”. Ajo shtoi se i është drejtuar bankave të huaja dhe se do të marrë kredi nga banka e parë që do t’ia ofrojë.

Nëse do të zgjidhet presidente, Le Pen deklaroi se do të reduktojë rajonet dhe numrin e parlamentarëve duke arritur në 300 deputetë dhe 200 senatorë si dhe do të fusë në fuqi një sistem proporcional me një listë të vetme për zgjedhjet politike.

Duke iu rikthyer dhe njëherë temës së emigrantëve ajo premtoi se Fronti Kombëtar nuk do të hakmerret individualisht me emigrantët por do të propozojë një reformë në kërkesën për azil, e cila sot sipas saj favorizon emigracionin klandestin./ tvklan.al






Të ngjashme