Marsela Çibukaj: Kjo kohë ka ndalur gjithçka
Sot programi “Jo vetëm modë”, në TV Klan i është përshtatur tërësisht situatës që po kalojmë, por duke larguar pak mendjen me bisedat plot humor me të ftuarit.
Në një komunikim me këngëtaren Marsela Çibukaj, ajo u shpreh se asnjë nga ne nuk kishte marrë masa që kjo situatë do të ndodhte. Ajo tregoi se stërgjyshi i saj ka ndërruar jetë në vitin 1918 nga gripi spanjoll dhe shpeshherë kur ndihet e mërzitur, e vendos veten në situatën e atyre njerëzve në atë periudhë, që ndryshe nga ne nuk kishin asnjë lloj mundësi komunikimi.
Marsela Çibukaj: Asnjë nga ne nuk kishte marrë masa që kjo mund të ndodhte, domethënë të kishim patur të paktën paralajmërim, disi do kishim qenë më të përgatitur. Nga ana tjetër, kjo nuk është vetëm diçka që ndodh vetëm për sektorin e muzikës, por ndodh për gjithçka, është ndalur gjithçka. Një imazh që më vjen në mendje dhe më ngeli është Papa Françesku, që bënte shëtitje në rrugicat e Romës, në një Romë komplet shkretëtirë. Unë që jam rritur në Romë dhe e di që ajo rrugica aty pikërisht, sa e dendur është dhe ti kupton se kjo kohë ka ndalur gjithçka. Unë stërgjyshin e kam humbur prej gripit spanjoll në 1918 dhe këto ditë kur më kap mërzitja, jam vënë në vendin e njerëzve në momentin që ndodhi kjo fatkeqësi, në një moment ku nuk kishin asnjë mundësi komunikimi, çfarë izolimi do të ketë qenë./tvklan.al