Martti Ahtisaari karriera dhe lidhja me Kosovën


Martti Ahtisaari karriera dhe lidhja me Kosovën

Autori: Blendi Fevziu

23:36 29/11/2004

Pak muaj më parë ka hyrë në vitin e 68 të jetës së tij, por Martti Ahtisaari duket se nuk ka ndryshuar asnjë prej zakoneve të marra që në rininë e tij. Ai vijon të udhëtojë gjithnjë atje ku ka probleme dhe përherë me misionin e gjetjeve të zgjedhjeve dhe shmangies së konflikteve. Pas 44 vitesh karrierë, njeriu që ka pasur gjithë postet më të rëndësishme që një politikan mund të ketë në jetë vijon të udhëtojë më shumë se 200 ditë në vit.

Martti Ahtisaari vlerësohet për shumë të arritura gjatë karrierës së gjatë diplomatike e politike të cilën e filloi në vitin e largët 1960. Finlandezët e kujtojnë si diplomatin trupmadh që u bë Presidenti i dashur i tyre krejt papritur dhe e udhëhoqi vendin në rrugën pro perëndimore. Shumë rajone të varfra ish koloniale të Afrikës, e veçmas Namibia e kujtojnë për rolin historik në zgjidhjen paqësore të shumë konflikteve. Indonezia ka ende nostalgji për ndërmjetësimin në zgjidhjen e krizës së Aceh ndërmjet rebelëve dhe qeverisë së këtij vendi. Në Ballkan, ai u rikthye disa herë në njëzetë vitet e fundit për tu marrë e rimarrë me krizën që shpërtheu pas shkatërrimit të Jugosllavisë. Për rastin e Kosovës, Ahtisaari ishte çdo herë i preferuari i amerikanëve, i rusëve dhe i OKB-së qysh në kulmin e luftës në vitin 1999. Përgjatë karrierës disa dekadëshe, Ahtisaari ndoqi bindjet e tij për një botë të lirë, për popuj që realizojnë të drejtat e tyre politike dhe për shtete që zhvillohen në demokraci. Me po të njëjtat vlera e botëkuptime intelektuale, Ahtisaari iu qas edhe çështjes së Kosovës kur udhëhoqi negociatat dhe propozoi planin për pavarësi të mbikëqyrur. Ai na zbulon një marrëdhënie të panjohur me Kosovën nëpërmes biografisë së tij “Ndërmjetësi” të shkruar nga dy gazetarët finlandezë, Katri Merikallio dhe Tapani Ruokanen.

Libri zbulon pjesën e krenarisë të Ahtisaarit për Kosovën kur me 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës ishte mbledhur për të shpallur pavarësinë. Eva dhe Martti ishin në shtëpinë e tyre në Hoolo kur e kishin dëgjuar emrin e Ahtisaarit të ishte përmendur tetë herë. “Po merrnim qindra mesazhe të mrekullueshme dhe të dashura nga Kosova. Ne po shikonim në televizion atmosferën atje” kujton Ahtisaari pasditen e 17 Shkurtit. Megjithëse ishte i bindur se akti do të shkaktonte shumë reagime dhe një rrugë të gjatë përpara. Deri në vjeshtë të vitit 2008, Kosova u njoh vetëm nga 22 shtete anëtare të BE-së. “Nuk e prisja që BE-ja të ndahej në procesin e njohjes së Kosovës. Sidomos nuk e prisja nga Spanja” thotë Ahtisaari.

Një vit më vonë, ai u shpërblye nga bota duke fituar çmimin Nobel për Paqe. Ishte në shtëpinë e tij kur e pranoi lajmin dhe telefonatat me urime nuk pushonin. Përgëzimet e krejt botës ishin për njeriun që i solli çmimin e dytë Finlandës pas 63 vitesh. Mes të tjerave, në arsyetimin e Komitetit të Nobelit ishte përmendur edhe roli i tij ndërmjetësues me Kosovën dhe propozimi gjithëpërfshirës./tvklan.al






Të ngjashme