Masa për Tahirin, Meta: Drejtësia të veprojë e pavarur


Masa për Tahirin, Meta: Drejtësia të veprojë e pavarur

11:19 14/05/2018

I pranishëm në Panairin e Agrobiznesit dhe Artizanatit në Cërrik, Presidenti Ilir Meta u pyet për çështjen e ish-Ministrit Saimir Tahiri, për të cilin gjykata vendosi dy ditë më parë masën arrest shtëpie.

“Drejtësia të veprojë në mënyrë të pavarur në respekt të shtetit të së drejtës”,

u shpreh kreu i shtetit, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve.

Ish-Ministri i Brendshëm e ka akuzuar në mënyrë të përsëritur me emër të përveçëm, Ilir Metën, siç ndodhi dhe në deklaratën e fundit ku bëri të ditur heqjen dorë nga mandati i deputetit. Por vetë kreu i shtetit, gjithmonë ka zgjedhur të mos merret asnjëherë personalisht me Tahirin.

Kur u pyet pasi Kuvendi hodhi poshtë kërkesën e Prokurorisë për të marrë mandat për arrestimin e Tahirit, Meta u mjaftua vetëm me një apel drejtuar politikës, ku i kërkonte të bashkohej në luftën kundër trafiqeve të drogës.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të shtunën masën arrest shtëpie për ish-Ministrin e Brendshëm, megjithëse Prokuroria kishte kërkuar burg pa afat. Akuza ndaj Tahirit është ajo e ngritur në Tetor të vitit të kaluar për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë. 

/tvklan.al






Të ngjashme