Masa të shtuara në Shkodër


Masa të shtuara në Shkodër

15:43 15/04/2020

Qytetarët nisin t’u binden rregullave

Askush nuk mund të futet në Shkodër pa një autorizim të motivuar që e bën të detyrueshëm lëvizjen në këtë qytet.

71 personat e prekur nga Covid-19 e kanë kthyer Shkodrën në vatrën e dytë të infeksionit në Shqipëri. 

E fillimi i kësaj jave e gjeti qytetin verior nën masa të shtuara dhe më të rrepta për frenimin e koronavirusit.

Nëpër rrugë ka më pak lëvizje të këmbësorëve edhe pse jo gjithmonë ruhen rregullat e distancës. Pranojnë që frika ka rritur kujdesin e tyre.

Me vendim të Bashkisë Shkodër, tregu i Zdrales është mbyllur.

Qindra qytetarë e tregtarë e mbipopullonin atë edhe në ditët e karantinës, duke e kthyer në një rrezik për përhapjen e COVID.

Me vendimin e ri, rreth 60 subjekte e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre për 2 javë.

Në tregjet e tjera janë përcaktuar hyrje – daljet e kontrolluara, e po ashtu tregtarët punojnë duke alternuar ditët me njëri-tjetrin. Masat e reja kanë rritur tek ta sigurinë për shëndetin, po aq sa pasigurinë për të ardhurat.

Si një qytet ndërkufitar me 3 pika doganore, Shkodra është e ekspozuar ndaj lëvizjeve të shumta. Sipas kryetares së Bashkisë, kjo është arsyeja e parë që favorizoi përhapjen e virusit.

“Në momentin që u mbyll Lombardia, ka 3600 shkodranë që janë kthyer. Ne u kemi kërkuar të vetëkarantinohen, por ka raste të familjarëve të infektuar që kanë emigrantë në shtëpi”.

Një vajzë e kthyer nga veriu i Italisë që nuk zbatoi vetëkarantimin u bë shkak për infektimin e 27 personave në lagjen Kiras në Shkodër. Ajo mori pjesë në një ceremoni mortore në mes të Marsit, në një kohë kur grumbullimet ishin ndaluar prej 10 ditësh.

Për Ademin, numri i testimeve në Shkodër duhet të ishte më i lartë për të përcaktuar strategjinë e ndërhyrjes. 

“Ne e kemi marrë vesh shumë vonë që më 28 Shkurt kishte nisur testimi për Covid në Shkodër. Duhet të bëhen publike në numër, jo në emra që të dimë për shkallën e ndërhyrjes. Në vend që të kryhen 5 teste, 10 teste, mund të kryhen 50 në ditë, siç po kryhen, por jemi shumë vonë. Ata që japin shërbime në territor duhet të kryejnë testimin. Masat në aspektin formal – ligjor kanë qenë ekstremisht të vonuara”.

Orën 17:30 e respektuan përpikmërisht bizneset, ndërsa shkodranët i boshatisën rrugët e qytetit prej orëve të pasdrekës.

Edhe pedonalja e Shkodrës e zhurmshme në ditë – netët e saj është boshatisur. Të vetmet që thyejnë qetësinë e qytetit janë patrullat e policisë dhe sirenat e ambulancës.

Prefekti i Shkodrës u shkarkua për keqmenaxhim të situatës dhe qeveria e pranoi se përgjegjësinë nuk e pati vetëm pushteti vendor.

Autoritetet i kanë vijuar çdo ditë thirrjet për qytetarët që t’u binden rregullave, por refuzimi i një pjese të tyre duket se ka marrë fund, teksa të infektuarit po përhapen.

Tv Klan 






Të ngjashme