Gjermania në kërkim të autorit të “Berlinit”
4 persona janë vënë në pranga nga autoritetet gjermane si të dyshuar se kanë lidhje me personin më të kërkuar të momentit në Europe.
Anis Amri, 24- vjeçari tunizian, i dyshuari kryesor për masakrën e Berlinit, ka përdorur 6 identitete të ndryshme gjatë qendrimit në Gjermani. Sipas mediave ndërkombëtare, ai duhet të largohej nga Gjermania, pasi ishte arrestuar 3 herë për krime të ndryshme në republikën federale të Gjermanisë, por ka vijuar të qëndrojë në Berlin si pasojë e mungesës së dokumentacionit për të lënë vendin.
Pas kërkimeve intensive të një ditë më parë në të gjithë spitalet e vendit, dy apartamente ku mendohej se mund te strehohej atentatori i dyshuar, janë kontrolluar nga forcat e policisë gjermane, por tuniziani nuk është gjendur as aty.
Anis Amri ka qenë nën survejimin e forcave të sigurisë në Gjermani si person me precedent penal. Ai ka qenë gjithashtu i dënuar me 4 vjet burg në Itali pasi në vitin 2012 kishte djegur një shkollë.
Associated Press raportoi se pas një bisede me babain e tij në Tunizi, ai i tha gazetarit se Anis, është një i droguar me sjellje të dhunshme dhe se është radikalizuar gjatë emigrimit në Europë.
Për kapjen e Amri, është vendosur një shpërblim prej 100 mijë eurosh, por frika e hetuesve federalë është së ai mund të ketë dalë tashmë nga territori gjerman.
12 të vdekur dhe 49 të plagosur është bilanci i masakrës së të hënës në Berlin, shkaktuar nga një kamion i rrëmbyer polak, i cili u përplas me njerëzit në tregun e krishtlindjeve në Berlin.
Tv Klan