Masakra e Teksasit, kush është njeriu që i mori jetën 26 personave
David Patrick Kelley është një ish - mësues Bible, i cili ishte përjashtuar pa nder nga Forcat Ajrore amerikane, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijës së tij.
26 - vjeçari u fut në Kishën e Parë Baptiste në Sutherland Springs, në Teksas dhe nisi të qëllonte me armë zjarri në drejtim të besimtarëve. Ishte ora 11:20 e paradites së të dielës, kur ai u mori jetën të paktën 26 personave. Sulmi mori fundi vetëm kur Kelley, nga New Braunfels, u përball nga një hero i zonës, 55 - vjeçari Stephen Willeford, i cili e qëlloi me armë, ndërkohë që autori po tentonte të largohej nga kisha. Kelley u vra nga i njëjti hero, i cili e ndoqi me shpejtësi me makinë. Zyrtari i policisë, Albert Gamez JR, për CNN konfirmoi numrin e viktimave, por ai tha se ky numër pritet të rritet. Në mesin e të vrarëve është edhe një vajzë 2 - vjeçare, një grua shtatzënë dhe një 14 - vjeçare, vajza e pastorit. Ndonëse një veteran i Forcës Ajrore dhe ish - mësues i Biblës, në faqen e tij në Facebook, tashmë të fshirë nga FBI, Kelly shfaqte një dashuri të veçantë për armët. Sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, së fundmi ai kishte postuar një fotografi të një AR-15. 26 - vjeçari ishte i martuar me Danielle Shields, me të cilën kishte edhe një fëmijë. Ajo kishte punuar më parë si mësuese në të njëjtën kishë ku ndodhi sulmi. Kelley jetonte në shtëpinë e prindërve të tij me bashkëshorten dhe fëmijën. Fqinji i tij Mark Moravitz, duke folur për ABC News tha se i kishte rastisur disa herë që të dëgjonte të shtëna me armë pranë shtëpisë së tyre, gjatë orëve të vona të natës. Ndërsa vjehrra e tij, Michelle Shields, e cila duket se shkonte gjithashtu në të njëjtën kishë, në një foto të zbuluar nga mediat në rrjetet sociale, shfaqet sëbashku me gruan e pastorit. Nuk dihet nëse ata kanë qenë në kishë në momentin e sulmit. Kelley raportohet se ishte bërë pjesë e Forcave Ajrore pasi u diplomua, në 2009 -ën. Pentagoni zyrtar konfirmoi se 'në një moment' kishte qenë pjesë e tyre, por nuk dha detaje të mëtejshme. Amerikania CBS zbuloi se ai punonte në logjistikë dhe furnizime në Forcat Ajrore, por u përjashtua pasi sulmoi gruan dhe fëmijën. Kelley mësohet se kishte dalë dy herë para gjykatës për këto akuza dhe ishte dënuar me 12 muaj 'burg'. Ai u përjashtua nga detyra në 2014 -ën. Ish - shokë të shkollës, e përshkruajtën atë si "të çuditshëm", "të çmendur" dhe "njeri të veçuar", i cili kohët e fundit kishte filluar të predikonte ateizmin dhe zënkat në rrjetet sociale. Megjithatë, autoritetet thonë se vitet e fundit ndaj tij nuk ishte regjistruar asnjë shkelje, përveçse një gjobë për parkim të gabuar. Policia aktualisht po heton mundësinë që Kelley të ishte bërë pjesë e një grupi lokal milicie. 26 - vjeçari u gjet i vdekur në makinën e tij, pas ndjekjes nga Stephen Willeford. Në automjetin e tij u gjet arsenal armësh. Ai mbante me vete pajisje taktike, rrip balistik e armë. Fillimisht 26 - vjeçari hapi zjarr jashtë kishës dhe më pas u fut brenda dhe vijoi të qëllonte. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë ende një motiv për masakrën e ndërmarrë nga i riu./tvklan.al