Masakra mbi mushkërinë e globit


Masakra mbi mushkërinë e globit

09:00 02/12/2020

Amazona, në një vit u shkatërruan 11 mijë kilometra katrore pyje

E cilësuar si mushkëria e planetit, pyjet e Amazonës po shkatërrohen nga shpyllëzimi. Sipas një raporti të fundit të bërë në Brazil nga agjencia INPE, tregohet qartë se shpyllëzimi i pyjeve është rritur në nivelin më të lartë që nga viti 2008.

Një total prej 11,088 km katrore pyje u shkatërruan nga Gushti 2019 deri në Korrik 2020. Kjo është një rritje prej 9.5%. Pylli më i madh i shiut në botë, Amazon është vendi më jetësor i karbonit që ngadalëson ritmin e ngrohjes globale.

Ajo është gjithashtu shtëpi për rreth tre milion lloje të bimëve dhe kafshëve dhe një milion njerëz indigjenë. Shkencëtarët thonë se ajo ka pësuar humbje me një ritëm të përshpejtuar që kur Jair Bolsonaro mori detyrën në Janar 2019. Presidenti brazilian ka inkurajuar aktivitetet e bujqësisë dhe minierave në pyjet më të mëdha në botë.

Brazili gjatë vitit 2017 hartoi disa masa për të ngadalësuar ritmin e shpyllëzimit në 3,900 km katrore në vit deri në vitin 2020. Presidenti Bolsonaro gjithashtu ka shkurtuar fondet për agjencitë federale që kanë fuqinë të gjobisin dhe arrestojnë fermerë që shkelin mjedisin. Shumë herë kreu i Brazilit është përplasur më parë me agjencinë INPE rreth të dhënave të shpyllëzimit. Vitin e kaluar, ai akuzoi agjencinë për përdhosjen e reputacionit të Brazilit.

Zjarret që shkatërruan një pjesë të konsiderueshme vitin e kaluar ishin të qëllimshme dhe të shkaktuara nga dora e njeriut kryesisht në mënyrë të paligjshme nga ata që po e përgatisin tokën për bagëti dhe për mbjellje.

Kjo lloj praktike që bëjnë njerëzit është në rritje, e inkurajuar edhe nga politika populiste pro biznesit të presidentit brazilian Jair Bolsonaro, i cili mbështetet nga i ashtuquajturi “grupi i viçave” të vendit.

Që nga viti i kaluar autoritetet në Brazil kanë edhe frikën e vendosjes së sanksioneve nga Bashkimi Europian. Finlanda i propozoi Unionit, bllokimin e importit të produkteve të mishit nga Brazili.

Brazili është eksportuesi më i madh në botë i mishit të viçit, duke siguruar afro 20% të eksporteve totale globale, sipas Departamentit të Bujqësisë së Shteteve të Bashkuara një shifër që mund të rritet në vitet e ardhshme.

Klan Plus






Të ngjashme