Masakroi gruan, çfarë dënimi dha gjykata për burrin
Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 15 vjet burgim një person me inicialet I.H pasi më 31 Maj 2019 në fshatin Samadrexhë të Suharekës e ka sulmuar gruan e tij dhe ajo fatkeqësisht nuk i ka mbijetuar plagëve të marra, njofton Klan Kosova.
Sipas kësaj gjykate, I.H në ditën kur ndodhi rasti i kishte shkaktuar lëndim të rëndë bashkëshortes së tij deri në masën sa që kishte rezultuar përveç rrezikimit të jetës edhe me vdekjen e saj.
“Më dt. 31.05.2019, rreth orës 17:30 minuta, duke drejtuar veturën, në dalje të fshatit Samadrexhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj e ka ndal automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, të njëjtën me forcë e nxjerr jashtë dhe kur dalin jashtë në anën e djathtë të veturës, atëherë fillon ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës, ia kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku për rrjedhojë pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore, në indin trunor dhe në vertikuj, të cilat dëmtime kanë shkaktuar trauma të shumëfishta në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, lëndime këto të konstatuara në raportin e ekspertizës mjekoligjore, nga të cilat lëndime më vonë e ndjera vdes në QKUK në Prishtinë me datë 15.06.2019”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate, transmeton Klan Kosova.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./klankosova