Mashtrimi me karburantin, si i shkaktoi 57-vjeçari 1 mln $ dëm shtetit
Plot 1 milion dollarë, është ky dëmi për Shtetin që ka krijuar një skemë mashtruese në fushën e karburanteve. Sipas Prokurorisë së Tiranës “koka” e kësaj skeme mashtruese është Iliaz Fisheku, 57 vjeç, ndërsa të përfshirë janë edhe 7 inspektorë tatimorë.
Nga hetimet ka rezultuar se “Martini Petrol” ka ushtruar për rreth 4 vjet aktivitet në Tiranë në mënyrë të palicensuar. Nga përllogaritja që ka bërë Drejtoria e Tatimeve, “Martini Petrol” ka shmangur nga detyrimet fiskale, si edhe nuk ka paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve për periudhën 2010-2014.
Shmangia nga detyrimet e subjektit tregtar është realizuar edhe me ndihmën e inspektorëve të Tatimeve, të cilët kishin për detyrë të kontrollonin zonën ku ushtronte aktivitetin e paligjshëm kjo pikë karburanti.
Nga hetimet ka rezultuar se disa inspektorë, të cilët kanë pasur përgjegjësi për zonën ku ushtronte aktivitetin “Martini Petrol” kanë shkuar shpesh për kontroll te subjektet e tjera private pranë karburantit, por në asnjë rast nuk e kanë evidentuar se ai funksiononte pa licensë.
Kush është Iliaz Fisheku?
Biznesmeni Iliaz Fisheku është arrestuar edhe më parë nga policia për të njëjtën akuzë. Në vitin 2011 ai është ndaluar për skandalin e naftës “Vergine”. Shumica e të akuzuarve në atë kohë u liruan nga gjykata, ndërsa biznesmeni Iljaz Fisheku u cilësua fajtor vetëm për moskallëzim krimi dhe u dënua me 10 muaj e 20 ditë burg, kohë të cilën ai e ka shlyer në paraburgim./
tvklan.al