Mashtruesi i kambistëve – (8 Shkurt 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Një mashtrues u grabit 20 mijë dollarë dy kambistëve. Ngjarja ka ndodhur para dy ditësh tek tregu i valutës në Tiranë. Një person i njohur nga policia si mashtrues ka arritur tu marrë shumën e madhe dy kambistëve të cilët pasi kanë kuptuar mashtrimin kanë denoncuar në Komisariatin nr.3 të kryeqytetit. Në njoftimet e mëparshme është raportuar se mashtruesi ka implikuar dhe një zyrtar të lartë të ministrisë së Rendit dhe që vetë Drejtori i Policise së Tiranës, Mit’hat Havari e ka konfirmuar këtë.
Por sot Havari ka mohuar kategorikisht bashkëpunimin e mundshëm të funksionarit të lartë të ministrisë me mashtruesin e valutës. Vetë protagonisti i mashtrimit është zhdukur bashkë me valutën e grabitur. Sipas policisë së Tiranës është bërë i mundur identifikimi i tij.
Raste të mashtrimit me pasojë dëmtimin në shuma të mëdha të kambistëve kanë ardhur gjithnjë në rritje. Ndaj për policinë nuk mbetet tjetër vetëm një rritje e kontrollit në zonën ku valuta tregtohet në rrugë./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj