Maska bëhet e detyrueshme edhe jashtë
Rama: Duhet të parandalojmë një karantinë të dytë
Duke nisur nga e enjtja e ardhshme mbajtja e maskës do jetë e detyrueshme, jo vetëm në ambientet e mbyllura, por edhe jashtë.
Në rast të shkeljes së këtij rregulli, Kryeministri Edi Rama tha qytetarat do të marrin gjoba, të cilat do të vijnë bashkë me faturat e dritave.
“Nga java e ardhshme maska do jetë e detyrueshme kudo, përvec shtëpisë, restoranteve, barit ku je ulur. Gjoba do të vendoset tek fatura e dritave dhe nuk do të mund ti shpëtojë dot askush. Implementimin e masës policia e shtetit dhe ajo bashkiake”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë kjo është një masë e domosdoshme për të shmangur një izolim të dytë që do të ishte me pasoja shumë më të rënda për shëndetin e njerëzve dhe ekonominë e vendit.
“Ajo që duhet të bëjmë është të parandalojmë një karantinë të dytë. Një karantinë dytë do ishte katastrofale për ekonominë, individët dhe shtetit”, u shpreh ai.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se janë përgatitur disa skenar për përballimin e kësaj situate, ku parashikohen hapja edhe e 4 spitaleve rajonale, ndërsa është porositur dhe një sasi e konsiderueshme Emdesiviri per trajtimin e rasteve me covid
“Qeveria shqiptare është angazhuar financiarisht në parablerjen e vaksinave me një fond parapagimi 4 milion dollarë. Ne e kemi bërë një marrëveshje. Paralelisht jemi duke punuar dhe me BE për të pasur procesin e vaksinimit edhe më herët.
Përballja me vjeshtën dhe dimrin nuk do të jetë e lehtë. Do të kemi në total në dispozicion rreth 1600 shtretër bashkë me spitalet rajonalë, të pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme”, shtoi ministrja.
Ministrja theksoi se për të asistuar pacientët me Covid 19 që trajtohen në banesa do të jetë në dispozicion një ekip mbështetës.
Tv Klan