Maska, detyrim në çdo mjedis nga 15 Tetori
Përjashtohen fëmijët nën 11 vjeç dhe disa kategori
Çdo person mbi 11 vjeç nga 15 Tetori nuk mund të qëndrojë më pa maskë, në rrugë, shkollë, park, dyqan apo institucion. Insituti i Shëndetit Publik ka publikuar udhëzuesin që përcakton qartë se tashmë maska është detyruese kudo, përveç shtëpisë.
“Duke filluar nga dita e nesërme, datë 15 Tetor, mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme për t’u mbajtur kudo në ambientet jashtë shtëpisë. Maska duhet tË mbuloj fytyrën gojën dhe mjekrën”, tha Albana Fico, drejtore e ISHP.
Maska duhet vendosur sapo del nga shtëpia pasi udhëzuesi përcakton se mbajtja e saj është detyrim duke filluar nga ashensori, dhe në makina private nëse në të ka persona që nuk janë antarë të familjes.
Gjatë lëvizjes në rrugë, qëndrimit në parqe apo sheshe publike duhet përdorur maskë. Në të gjitha institucionet arsimore shëndetësore, financiare apo biznese mbajtja e maskës është detyrim. Të përjashtuar nga mbajtja e maskës janë femijët nën 11 vjeç dhe disa kategori të përcaktuar në udhëzim.
“Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes. Nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës.Gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive”, shtoi Fico.
Edhe nëse jeni duke udhëtuar vetëm me biçikletë, motocikletë dhe monopatinë nuk mund ta mbani maskën. Po ashtu gjatë kohës së qëndrimit ne restorante dhe bare kur jeni duke konsumuar, por hyrja në këto mjedise do të bëhet me maskë.
Maska lejohet të hiqet në rastet kur kërkohet për identifikim në isntitucione të ndryshme. Ata që nuk do ta zbatojnë rregullat do të gjobiten më 3 mijë Lekë herën e parë dhe 5 mijë nëse është rast i përsëritur.
Tv Klan