Mattarela në paradën e “JO-së”
Një paradë ushtarake në Selanik përkujtoi 78-vjetorin e hyrjes së Greqisë në Luftën e Dytë Botërore. Ishte pikërisht refuzimi për t’u dorëzuar që grekët u bënë italianëve, gjesti që i përfshiu ata në luftë.
Presidenti grek Prokopis Pavlopulos ftoi në këtë përvjetor homologun italian Serxho Mattarela, me të cilin ndoqën paradën.
Për presidentin grek, prania e homologut italian në paradë ka një domethënie të veçantë.
“Simbolika e përpjekjeve për të ruajtur familjen e madhe europiane tregohet edhe përmes pranisë sot në Selanik të presidentit italian, mikut tonë europian Serxho Mattarela. Kjo tregon se Greqia dhe Italia e kanë lënë pas të kaluarën”, tha Pavlopulos.
Për ministrin grek të mbrojtjes, Panos Kamenos, parada ka një tjetër mesazh.
“Kushdo që guxon të sfidojë sovranitetin tonë do të na gjejë të bashkuar kundër tij. Veprime të tilla do të paguhen shtrenjtë. Populli grek është krenar për ushtrinë e tij.”
Ditët e fundit, mediat italiane njoftuan se Presidenti Mattarela do të ishte i pranishëm në këtë paradë për të shprehur edhe ndjesën për luftën dhe viktimat që i shkaktoi ushtria fashiste Greqisë në Luftën e Dytë Botërore.
Tv Klan