Mazhoranca voton vetting-un, opozita braktis seancën. Debate në Kuvend


Mazhoranca voton vetting-un, opozita braktis seancën. Debate në Kuvend

19:20 30/08/2016

Kuvendi i Shqipërisë votoi vetëm me votat e mazhorancës ligjin e vetting-ut, që ka të bëjë me kontrollin e pasurisë dhe figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Miratimi i këtij ligji kërkonte shumicë të cilësuar, prej  84 votash por mori 88 pro dhe një abstenim.

Opozita u largua nga salla para votimit, siç kishte paralajmëruar të bënte, nëse nuk do të merreshin parasysh amendamentet e saj. Gjatë seancës ish-kryeministri Berisha, tha se në këtë mënyrë mazhoranca po prishte konsensusin dhe po miratonte një ligj antikushtetues.

Kryeministri Edi Rama, ngulmoi në votimin e vetting-ut duke akuzuar opozitën se ka qenë kundër edhe reformës në drejtësi.

Në të njëjtën linjë me aleatin në qeverisje, kryetari i kuvendit dhe i LSI, Ilir Meta, kërkoi që ligji të votohet.

Opozita u shpreh se do ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Kreu i qeverisë Edi Rama tha se kjo ishte një orvatje e kotë për ta vonuar aplikimin e ligjit.

DISKUTIMET GJATË SEANCËS

Meta: Afatet duhen respektuar, Vetting-u të votohet

Kreu i Kuvendit, një nga aktorët politikë në vend që kërkoi me ngulm konsensusin për reformën në drejtësi tha se ky ligj, Vetting-u, është një nga më të rëndësishmit. Ilir Meta tha se afati i vendosur për Vetting-un duhet respektuar.

Nuk kisha ndërmend të flisja. Meqenëse Berisha më pyeti përse gjithë ky ngut, unë do të thosha që jemi shumë vonë me ligjin e Vettingut. Prandaj më vjen keq që gjithë kjo kohë që u dha në maksimum disa javë, nuk u shfrytëzua me efektivitetin e duhur, por e kemi një afat që duhet respektuar. Për të gjithë ata që përmendin konsensusin e 21 korrikut, ka një dallim themelor. Ky konsensus ka të bëjë me legjitimitetin e reformës. Më duket e vështirë të shpresojmë prapë që të arrihet konsensus mesnatën e 30 dhe 31 gushtit. Për të gjithë reformën në drejtësi, jam i bindur që dy juristë për të njëjtin konsensus nuk kanë të njëjtin koncept. Por nuk shoh asnjë gjë themelore që të pengojë votimin e opozitës në parim dhe nen për nen. Disa pretendime e kam të vështirë t’i kuptoj

”, deklaroi Meta.

Rama: Asnjë politikan nuk do t’i shpëtojë drejtësisë

Pas akuzave të Berishës, fjalën e ka marrë kryeministri Edi Rama. Ai theksoi se ka ardhur momenti për spastrimin e “pallatit të drejtësisë”.

Moment i rëndësishëm i kurorëzimit të reformës në drejtësi. Vetting-u i hap rrugë fshesës së hekurt të pallatit të drejtësisë. Ligji pastron ata që kanë marrë peng drejtësinë në këtë vend. Marrin fund ata që kanë kthyer drejtësinë në një mall që shitet dhe blihet. Ata që i kundërvihen reformës kanë probleme më drejtësinë, ata që pengojnë reformën e ndiejnë se çfarë vjen pas reformës

“, u shpreh Rama.

Berisha-Ramës: Opozita t’i ka thyer turinjtë

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar shefin e Qeverisë, Edi Rama se opozita nuk do të lejojë që të manipulohet ligji i Vetting-ut, pjesë e reformës në drejtësi.

Duke folur në Parlament, Berisha iu drejtua Kryeministrit Rama duke i thënë se për 2 vjet ka bërë përpjekje për të kapur reformën në drejtësi, por gjithmonë “opozita i ka thyer turinjtë”.

“Opozita ka luftuar shumë për standarde dhe prapë është e vendosur të luftojë. Këtu po prishet pikërisht ai konsensus që është sanksionuar në Kushtetutë. Ju a doni të funksionojë reforma apo jo? Në këtë reformë përcaktuam një mënyrë tjetër dhe këtë ramë dakord dhe e votuam. Po tani ju pse e ndryshuat? Ke dy vjet që bën përpjekje, por t’i kemi thyer turinjtë sa herë ke dashur dhe do vazhdojmë të t’i thyejmë turinjtë. Hajt të votojmë ligjin e BKH dhe të votojmë siç është reforma. Mos bëj gjëra qesharake

”, u shpreh Berisha.

Mediu: Qeveria do të kap drejtësinë

I pari që ka marrë fjalën ka qenë kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili ka deklaruar se mazhoranca po miraton një ligj që përmbush vetëm interesat e saj politike. Duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës, Mediu e ka akuzuar atë se, edhe në nisje të procesit të reformës kërkoi një proces të njëanshëm.

“Vendosët vija të kuqe, të zeza apo jeshile dhe edhe sot vazhdoni të diskutoni për to, edhe pse nuk ka asnjë vijë të tillë. Thjesht ia keni hequr barrën vetes tuaj dhe ia u keni vënë të tjerëve”, ka thënë Mediu. /

tvklan.al






Të ngjashme