Mali i Zi voton për qeverinë e re
Pas fushatës së ashpër zgjedhore, Mali i Zi voton të dielën për zgjedhjet parlamentare të cilat do të përcaktojnë emrat e 81 përfaqësuesve parlamentarë, nga 34 parti politike që konkurojnë.
Zgjedhjet e 16 Tetorit konsiderohen si prova më e madhe politike e partisë në pushtet, përgjatë 27 viteve të fundit.
Partisë në pushtet i duhet të përballet me akuzat e opozitës me korrupsion ndërsa është angazhaur të anëtarësojë vendin në NATO dhe ta afrojë me Bashkimin Europian.
Sfida, sipas kryeministrit socialdemokrat, Milo Gjukanoviç, është mes integrimit perëndimor, nëse fiton partia e tij, ose shndërrimit të vendit në “koloni ruse”, nëse fiton opozita.
Gjatë të shtunës, policia e Malit të Zi ka vënë në pranga 20 persona të akuzuar për terrorizëm, të cilët vinin nga Serbia.
Sipas mediave malazeze, personat dyshohet se kishin planifikuar të shkaktonin trazira gjatë zgjedhjeve të së dielës duke sulmuar institucionet, policinë dhe përfaqësuesit e organeve shtetërore.
Tv Klan