Rama: Kosova sa më shpejt në NATO


Rama: Kosova sa më shpejt në NATO

15:20 16/09/2017

Anëtarësimi sa më parë në NATO i Kosovës dhe vendeve të Ballkanit që janë ende jashtë aleancës, për Kryeministrin Edi Rama është thelbësor për sigurinë në rajon.  

Me këtë mesazh iu drejtua kreu i qeverisë Komitetit Ushtarak të NATO -s, punimet e të cilit zhvillohen në Tiranë, teksa tha se Shqipëria ka interes, por dhe përgjegjësinë që kjo pjesë organike e rajonit të shndërrohet në faktor prosperiteti.

“Megjithatë, hartës së NATO-s i mungojnë Bosnja Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Maqedonia. Kjo zonë, ende e papërfshirë organikisht në arkitekturën e sigurisë europiane, përbën një faktor paqartësie strategjike për Aleancën tonë.Ashtu sikundër, edhe një territor ku aktorë të tretë shohin vulnerabilitet dhe mundësi për penetrim.”

Kryeministri Rama tha se rajoni përballoi me sukses një valë anti atlantike që synoi destabilizimin e Malit të Zi, ndërsa nënvizoi se shqetësim mbetet qasja e Serbisë ndaj NATO -s.

“Pas zgjedhjeve të fundit, duket sikur Serbia ka dhënë disa sinjale në favor të një qasje të re politike, në raport me NATO-n dhe me Bashkimin Europian. Megjithatë, këmbëngulja serbe për një formulë tjetër sigurie të ndryshme nga vendet e rajonit e ndërlikon perspektivën e një arkitekture të qartë dhe të qëndrueshme.”

Kryeministri deklaroi se Shqipëria do të rrisë shpenzimet ushtarake në radhët e Aleancës, përmes angazhimit të Forcave të Armatosura në shërbimet civile.

Vendi ynë është anëtar i NATO-s që nga viti 2009 dhe merr pjesë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Bosnje, Kosovë, Detin Egje dhe në Mali.

Tv Klan






Të ngjashme