Rrëmbehet dhe grabitet emigranti
Artur Tushi, një emigrant nga fshati Raboshtë i Lezhës, i cili jeton në Itali u denoncua se ishte rrëmbyer nga persona të panjohur me 2 Nëntor të këtij viti në zonën mes Milotit dhe Burrelit.
Familja e tij denoncoi se ai kishte humbur kontaktet me ta dhe se nuk ishte bërë i gjallë. Menjëherë pas njoftimit të marrë, policia nisi kërkimet në zonën mes Fushë- Milotit dhe në fshatrat që ndodhen pranë rrugës nacionale Milot- Burrel. Blutë gjetën në këtë aks automjetin në pronësi të Artur Tushit.
Nga deklarimet e Tushit, kanë qenë disa persona ende të paidentifikuar të cilët i kanë vënë një thes në kokë dhe më pas e kanë dërguar në një banesë të panjohur, ku i kanë marrë 200 mijë lekë dhe automjetin.
Nga verifikimet e kryera nga hetuesit është mësuar se i riu nuk ka pasur precedentë penalë në Shqipëri, por as në Itali. Oficerët e krimeve dyshojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me përfshirjen e të riut në aktivitete të paligjshme jashtë apo brenda e vendit, çka ka sjellë edhe ngjarjen. Policia ka nisur hetimet me akuzën vjedhjes me dhunë në bashkëpunim, si dhe të heqjes së paligjshme të lirisë.
Tv Klan