Mbetet mister rasti i helmimit të ish-agjentit rus
Mbetet e mbuluar me mister helmimi i ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij. Sekretarja britanike për çështjet e brendshme Amber Rudd tha në dhomën e ulët të parlamentit britanik se autorët kanë përdorur një lëndë helmuese misterioze dhe tepër të rrallë.
Sipas saj, hetuesve do tu duhet shumë kohë përpara se të zbulojnë përbërjen. Një ditë më parë hetuesit britanikë thanë se Sergei Skripal dhe e bija Julia ishin helmuar me gaz nervor. Por është ende e paqartë se për çfarë gazi bëhet fjalë, teksa është hedhur poshtë mundësia e përdorimit të gazit Sarinë, që hyn në kategorinë e armëve kimike.
Agjentët nervorë ndalojnë funksionin e sistemit nervor dhe organeve të tjera jetësore. Në trup hyjnë përmes gojës ose hundës, por mund të përthithen edhe përmes syve apo lëkurës. Mediat britanike shkruajnë se ish-agjenti ishte frekuentues i rregullt i lokalit ku mendohet të jetë helmuar dhe kanë publikuar edhe foto të tij të mëhershme atje. Hetuesit po përpiqen të kuptojnë se si mund ta kenë marrë helmin Skripal dhe vajza e tij dhe për këtë po kryejnë analiza në restorant dhe në të gjitha vendet ku ata kanë qenë në Salisbëri para helmimit. Autoritetet britanike paralajmëruan se nëse bëhet fjalë për vrasje prapa të cilës fshihet Moska, reagimi do të jetë i ashpër.
Prej të martës të helmuarit ndodhen në gjendje të rëndë por të qëndrueshme shëndetësore në një spital në Londër.
Tv Klan