S’ka konsensus për KQZ-në
Këshilli Politik diskutoi propozimin e ri të PD-së
Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore nuk ka mundur sërish të gjejë konsensusin lidhur me formulën e kompozimit të Komisionit të ri Qendror të Zgjedhjeve.
Përfaqësuesit e opozitës prezantuan propozimin e tyre të ri që e kthen procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së në Kuvend, por nuk bindën mazhorancën për të dhënë dakordësinë e saj për të.
“Mazhoranca përsëri nuk e pranoi, duke arsyetuar që ky sistem i propozuar prej nesh politizon. Në fakt ky sistem që propozojmë ne për emërim është ai i reformës në drejtësi i certifikuar nga Komisioni i Venecias”, tha Bylykbashi.
Damian Gjiknuri theksoi se edhe formula e re krijon sërish një KQZ politike, ndërsa vuri theksin te nevoja për të përfshirë në proces të gjithë aktorët politikë në Kuvend.
“Propozimet e saj në atë që u deklaruar si skemë e ngjashme apo formulë e ngjashme me zgjedhjen e organeve të drejtësisë nuk është e tillë sepse komisioni që propozojnë është prapë komision përfaqësues politik partie. Ne mendojmë që Kuvendi i Shqipërisë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të të gjitha llojeve duhet të jenë të përfaqësuar në këtë panel përzgjedhës”.
Gjithsesi ai u shpreh se ka ende hapësirë që të gjendet një konsensus lidhur me këtë çështje.
“Mendoj që brenda skemës së komplikuar e cila duhet të thjeshtohet mendoj që mund të ketë zgjidhje”.
Sa i përket identifikimit biometrik të zgjedhësve, palët kanë rënë dakord që të ndiqet e njëjta procedurë e zhvilluar edhe në vitin 2013.
Tv Klan