“Mbetjet”, Basha: PD, kërkesë për referendum. Reagon Rama
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mbështetur qëndrimin e kryetarit Lulzim Basha për mbajtjen e një referendumi, që ndalon importin e mbetjeve në Shqipëri, si dhe për të mbështetur protestat e shoqërisë civile.
Pas mbledhjes së Grupit me dyer të mbyllura Basha tha se, pas miratimit të ligjit fshihet një aferë mafioze korruptive.
Lulzim Basha:
“Vendim unanim dhe vendimi numër një është referendum popullor për zero mbetje në Shqipëri. Do dërgojmë kërkesën në Kuvend për një referendum, me qëllim ndalimin e plotë të importit të mbetjeve. Rikthimi i importit të plehrave është një aferë mafioze korruptive”.
Duke iu referuar një shkrese të qeverisë për dhënie mendimi në muajin gusht, në lidhje me draftin e hartuar nga dy nismëtarët socialistë Shalsi e Baraj, kreu i demokratëve tha se ligji për importin e mbetjeve nuk është bërë për ricikluesit vendas.
Lulzim Basha:
“Po i përdor mish për top….vetëm 17 % e mbetjeve në vend përdoren për riciklim. 83 % jo. Ja pse i do mbetjet ky. Për të futur helme.”
Pak ditë më parë Basha i kërkoi presidentit Bujar Nishani që të mos e dekretojë ligjin për importin e mbetjeve të miratuar me votat e maxhorancës.
Menjëherë pas deklaratës së Bashës, ka reaguar Kryeministri Edi Rama. Në një postim në Facebook ai shkruan:
“Tani që Luli kapi flamurin e luftës më rrezikun imagjinar kuptohet kollaj se në ç’kazan fshihet lepuri i rrenës për ligjin tonë mbi mbetjet”./
tvklan.al