Mbetjet, Nishani: Nuk do zhgënjej asnjëherë interesin e qytetarëve
Përpara se të shprehet me dekret, për ligjin që lejon importin e mbetjeve në vend, o cili ka shkaktuar jo pak përplasje e debat mes shoqërisë civile e qeverisë, Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një takim konsultativ me përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave si dhe ekspertë ligjorë e mjedisorë.
Për më shumë se dy orë, Kreu i Shtetit u njoh me shqetësimet e përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët i kërkuan mos dekretimin e ligjit të miratuar nga mazhoranca. Ata shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin ndaj Presidentit të Republikës si garant i Kushtetutës për angazhimin e tij personal dhe institucional në drejtim të zgjidhjes së drejtë të çështjes. Presidenti i Nishani duke e konsideruar çështjen e Ligjit për Importin e Mbetjeve të një rëndësie madhore, me një ndjeshmëri të madhe në opinion publik e me ndikim të gjerë dhe afatgjatë në jetën e qytetarëve shqiptarë, e çmoi takimin konsultues me përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambjentalistët si “shumë të vlefshëm në procesin e shqyrtimit dhe dekretimit të tij me seriozitet dhe përgjegjësi maksimale”. Presidenti Nishani garantoi përfaqësuesit e shoqërisë civile se po e trajton me shumë seriozitet ligjor, institucional dhe personal, jo vetëm në cilësinë e Kreut të Shtetit, por edhe si një qytetar shqiptar dhe si prind çështjen dhe kauzën për të cilën sipas tij qytetarët duhet të vazhdojnë të këmbëngulin. Krahas shoqërisë civile edhe Kryetari i Partisë Demokratike i ka kërkuar presidentit Nishani të mos e dekretojë ligjin, pas së cilit opozita thotë se fshihet mafia e plehrave./ TV KLAN