Rekord i errët me 3200 viktima në SHBA
Gjermania shënon shifrat më të larta të infektimeve ditore
Kjo e enjte shënoi shifra të larta viktimash nga Covid-19 në shkallë globale.
Rekord të errët shënuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës me mbi 3200 të vdekur në 24 orë, shifra më e lartë e gjithë periudhës së pandemisë e po ashtu e paarritur deri më tani në asnjë vend tjetër të botës. Infektimet po ashtu shënuan shifrën e dytë më të lartë me mbi 226 mijë raste, pas rekordit të 4 Dhjetorit.
Mbi 106 mijë të infektuar janë të shtruar në spitale një shifër tepër e lartë, çka ka bërë që në disa shtete federale si Teksasi, qendrat shëndetësore të punojnë përtej kapaciteteve. Ekspertët thonë se shkak për këtë situatë është festimi i shkujdesur i ditës së Falenderimeve.
Shifra të larta shfaqi edhe Gjermania, ku këtë të enjte u shënuan 23 679 infektime, shifra e dytë më e lartë pas rekordit të së mërkurës me 249 raste më shumë. Mbi 400 vijojnë të jenë edhe viktimat ditore. Kancelarja Merkel këmbëngul tek karantina kombëtare për ditët e fundit të këtij viti dhe të parat e vitit të ardhshëm si e vetmja mënyrë për të frenuar ritmet e përhapjes së Covid-19, por edhe për të mos lejuar shtimin e mëtejshëm gjatë festave.
Pas Britanisë së Madhe dhe Bahreinit, Kanadaja bëhet vendi i tretë në botë që aprovon vaksinën e firmave Pficer dhe Biontek.
Tv Klan