Mbi 40 viktima nga zjarri në Portugali, autoritetet: Bilanci mund të përkeqësohet


Mbi 40 viktima nga zjarri në Portugali, autoritetet: Bilanci mund të përkeqësohet

09:44 18/06/2017

Një zjarr i përmasave katastrofike i ka marrë jetën të paktën 43 personave në një pyll të Portugalisë. Më shumë se 50 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe zjarrfikësit.

Shumë nga viktimat humbën jetën teksa tentonin t’i iknin flakëve të zjarrit. 18 persona u gjetën në makinat e tyre të karbonizuar në rrugën që të nxirrte nga pylli.

Shërbimet e emergjencës ende nuk kanë arritur në një pjesë të madhe të zonave të prekura nga zjarri, prandaj autoritetet fatkeqësisht parashikojnë që numri i viktimave të rritet.

600 zjarrfikës po punojnë që të vënë flakët nën kontroll. Mbrëmjen e kaluar, katër vatra zjarri u përhapën në pika të ndryshme duke u shpërndarë në një sipërfaqe të madhe të pyllit Pedrógão Grande.

Jo shumë kohë pas rënies së zjarrit, numri i vatrave shkoi në 60. Për autoritetet nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin por stuhitë, rrufetë e kombinuara me një mot tepër të nxehtë me temperatura më të larta se 40 gradë celsius, mendohet se janë shkaku kryesor. Marrja në kontroll e zjarrit, ndërkohë që ka erëra të forta në zone, ka mbetur në dorë të nënës natyrë. TV KLAN






Të ngjashme