“Mbin droga nga deti”, dyshohet nga Shqipëria


“Mbin droga nga deti”, dyshohet nga Shqipëria

11:28 06/05/2016

Një pako që përmbante plot 30 kilogramë marijuanë është zbuluar nga karabinierët pranë plazhit Campomarino, në rajonin e Molise në Itali.

Droga u zbulua nga një helikopter i autoriteteve të Pescaras dhe sipas mediave italiane, dyshohet se kishte si destinacion tregun e Molises dhe zonat përreth.

Operacioni i përngjante skenës së një filmi, pasi helikopteri i policisë, pasi dalloi në lartësi një pako të madhe, bëri disa manovra për t’u ulur në zonën e banuar.

Një gjë e pazakontë, mbi të gjitha pasi jo çdo ditë ndodh të ‘mbijë’ nga deti një sasi e tillë droge.

Megjithatë, në Molise kjo nuk është hera e parë, pasi në Tetor të 2014 – ës, Guardia Di Finanza sekuestroi një sasi prej 2200 kilogramë marijuanë, që dyshohej se vinte nga Shqipëria dhe kishte destinacion rajonin dhe zonat përreth.

Sipas mediave italiane dyshohet se edhe kjo pako prej 30 kilogramësh vinte nga vendi ynë. Vlera e drogës në treg, sipas autoriteteve, shkonte në rreth 300 mijë euro./tvklan.al






Të ngjashme