Mbledhja e grupeve të PS, PD e LSI me ambasadorët, Blushi: Tallje me shqiptarët


Mbledhja e grupeve të PS, PD e LSI me ambasadorët, Blushi: Tallje me shqiptarët

15:31 05/05/2016

Lajmin se Ambasadori amerikan, Donald Lu dhe Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin do të merrnin pjesë në mbledhjet e grupeve parlamentare të PD, PS dhe LSI, Deputeti Ben Blushi e konsideroi si tallje të ndërkombëtarëve me politikën shqiptare.

Duke folur në parlament, ai tha se kjo tallje është kostoja e sabotimit të Reformës në Drejtësi nga klasa politike shqiptare.

Ben Blushi, Deputet i PS-së:

Ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve, kanë vendosur të mbledhin grupet tona parlamentare për t’iu caktuar atyre jo vetëm punën, por dhe oraret e punës. Ditën e premte, siç thonë. Nga kjo ditë ky parlament ka humbur legjitimitetin e vet. Kjo mbështetje sigurisht që ka edhe një çmim. Çmimi është tallja me ne. Çmontimi i këtij parlamenti, përçmimi i kësaj klase politike. 

Ambasadorët vijnë në grupet tona për të na bindur se duhet të bëjmë drejtësi. Në syrin e shqiptarëve dhe të botës kjo do të thotë troç, që ne nuk duam të bëjmë drejtësi, por po detyrohemi të bëjmë Reformën në Drejtësi.

Duke folur për këtë çështje, Kryeministrin Edi Rama tha se investimi i ambasadorëve në miratimin e Reformës bëhet për të bindur opozitën që ta votojë.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: “

Ardhja e ambasadorëve nëse ndodh në këtë vend, ndodh vetëm për të bërë takim me grupin tuaj. Sepse me grupin e Partisë Socialise dhe më grupin e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk kanë asgjë, as për të kërkuar as për të sqaruar, sepse PS dhe LSI kanë qenë të gatshëm ta votojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese, dje. Përfaqësuesi e SHBA dhe BE do t’i bien unazë parlamentit grup më grup, që të takohen me ju. Sepse jeni ju që nuk jeni të gatshëm të votoni, jeni ju që thoni jemi gati, por ta shikojmë.”

Zhvillimin e mbledhjeve të grupeve me praninë e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin e konfirmoi edhe ish-kryeministri Berisha si dhe denoncoi edhe një herë ato që ai i quan lidhje të krimit me strukturat më të larta të policisë së shtetit.

Sali Berisha, Ish-Kryeministër:

Nesër mbledhja u anullua dhe njoftimi i mediave është shumë i qartë. Se si kanë qenë të skeduluar mbledhjet atë e kam nga burimi origjinal. E para do të bëhej me Partinë Socialiste, e dyta me Partinë Demokratike, e treta do të bëhej me LSI.”

Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane, Ryan Roberts tha për Televizionin Klan se ambasadorët Lu dhe Vlahutin kanë rënë dakord me  3 grupet parlamentare që të takohen me secilin grup, sipas numrit të deputetëve dhe se po punohet për t’i organizuar takimet javën e ardhshme.

Erjon Todhe, Tv Klan






Të ngjashme