Mbledhja e KLD, Presidenca: Keqardhje për rrëzimin e propozimeve të ministres Gjonaj


Mbledhja e KLD, Presidenca: Keqardhje për rrëzimin e propozimeve të ministres Gjonaj

14:38 08/05/2018

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për mbledhjen e djeshme të KLD-së, ku u rrëzuan propozimet e ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj për shkarkimin e 4 gjyqtarëve.

Përmes një njoftimi shpërndarë mediave, Presidenca shpreh keqardhje për rrëzimin e propozimeve të ministres Gjonaj.

“Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, që prej marrjes së detyrës si Kryetar i KLD-së, ashtu si dhe ditën e djeshme ka mbështetur në vijimësi të gjitha propozimet e Ministrisë së Drejtësisë (propozime të ish-Ministrave të Drejtësisë, apo Ministres aktuale Gjonaj) për proçedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve, kërkesa këto aktuale, apo kërkesa të mbartura dhe të pashqyrtuara nga KLD-ja. Mbledhja e ditës së djeshme dhe vendimarrja e shumicës së anëtarëve të KLD-së për procedimin e gjyqtarëve tregon edhe njëherë nevojën ekstreme që ka vendi, për ngritjen dhe funksionimin sa më parë të organeve të reja të sistemit të drejtësisë që janë parashikuar nga reforma.

KLD sot funksionon bazuar në dispozita tranzitore dhe kjo gjendje duhet të marrë fund sa më parë. Ngritja dhe funksionimi i organeve të reja si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, do të vendosë çdo gjyqtar përballë një sistemi objektiv të llogaridhënies për veprimtarinë e tij. Shkeljet disiplinore të kryera nga disa gjyqtarë të shqyrtuara ditën e djeshme në KLD ishin më tepër se flagrante dhe me pasoja të rënda. Votimi i djeshëm për këto raste tregoi se KLD nuk i përgjigjet dot pritmërive të shoqërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë

“, thuhet në njoftimin e Presidencës.

/tvklan.al






Të ngjashme