Mbledhja e Partisë Socialiste – (3 Korrik 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Partia Socialiste fillon përgatitjet për zgjedhjet e reja lokale. Për këtë qëllim Kryeministri Majko ka mbledhur sot të zgjedhurit lokal socialist.
Kryeministri Pandeli Majko:- “Tashmë në një kohë sa më të shpejtë na duhet të ridimensionojmë synimet tona në kuptimin e vendosjes së objektivave edhe më të lartë përpara vetvetes me qëllim identifikimin përfundimtar të prioriteteve të nevojshme në zhvillimin e reformave dhe përgatitjet cilësore të projekteve që do të sigurojnë thithjen e investimeve dhe donacioneve që janë siguruar e do të sigurohen në të ardhmen. Duhet të shkundim gjithçka, çdo skepticizëm e çdo kundërvënie mbi bazën e vegjetimit parazitar”.
Më pas Majko është ndalur tek bashkëpunimi pozitë-opozitë. Bashkëveprimi me opozitën tha ai ka zbritur në marrëdhënie të drejtpërdrejta. Nuk duhet të futemi në sherre politike. Ajo që na paraprin ka vijuar Majko është fitorja e zgjedhjeve locale të vitit 2000.
Sipas Majkos kjo mund të arrihet duke rritur komunikimin bashkëpunimin, efektivitetin e qeverisjes qëndrore. Socialistët kanë nënvizuar gjithashtu nevojën e përqëndrimin në njohjen për mbajtjen dhe zbatimin e Kushtetutës./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego