Mblidhet Komisioni i Medias, reagon Aleksandër Frangaj: Po stimuloni piraterinë (2 Prill 2001)
Drejtuesit e radiotelevizioneve private kanë protestuar ndaj piraterisë dhe vjedhjes së të drejtave televizive. Në diskutimin e hapur në prani të Komisionit Parlamentar të Medias, drejtuesit e mediave audiovizive private të sapo licensuara, akuzuan Këshillin Kombëtar të Radiotelevizioneve që nuk kanë ndëshkuar shkelësit e të drejtave të autorit. Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Klan Aleksandër Frangaj, solli shembullin e Kosovës ku nuk vidhet asnjë program i televizioneve të huaja.
“Në asnjë moment Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit nuk ka treguar shembullin më të vogël të respektimit të drejtave televizive. Kam blerë Kampionatin Europian për dy vite, kam blerë Champions League për tre vjet, kam blerë dokumetare që transmetoj, kam blerë Reuters për lajme nga bota, kam blerë filmat e Kinostudios në Arkivin e Shtetit me të drejta të autorit të paguara dhe të vërtetuara këto me kontrata dhe asnjë prej këtyre ekskluziviteteve të mia nuk është respektuar. Deri më sot Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit nuk i ka vënë shkelsëve të këtyre të drejtave asnjë gjobë. Më vjen keq që po e mbyllni mandatin parlamentar pa rregulluar funksionimin e mediave elektronike. Do të ishit ju të parët interesuar më shumë se kushdo tjetër për t’i stabilizuar këto media. Duhet të ishte KKRT-ja që duhet të jepte shembuj dhe të na nxiste ne për të ndërtuar media jo pirate. Ndërkohë që ndodh e kundërta. Shembujt vijnë nga mediat. Nuk është vetëm Tv Klan që ka blerë të drejtat, janë dhe televizione të tjera. Ndërkohë që shembujt tanë nuk respektohen nga shteti, shteti stimulon hajdutët, ju stimuloni vjedhjen dhe po ua them këtu, zyrtarisht përpara të gjithëve, sepse me heshtjen tuaj si komision parlamentar, me heshtjen e KKRT-së, ju nuk bëni gjë tjetër veçse bashkëpunoni me hajdutët dhe piratët e mediave elektronike.”/tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame